Broçkulla për buxhetin

26Nën - 0 - Kategoria: Opinione

Parimet buxhetore kohët e fundit u lakuan aq shumë, sa që i humbi kuptimi edhe vetë buxhetit. Buxhetin nuk është vështirë për ta kuptuar, sepse çdo familje, sa do e varfër të jetë, mban llogari për rrjedhat e të ardhurave, shpenzimeve dhe borxheve, që priten të realizohen përgjatë ditëve a muajve. Thelbi i buxhetit familjar është i njëjtë me atë shtetëror. Kështu buxheti shtetëror njihet si plan vjetor për financimin e funksioneve dhe detyrimeve shtetërore, që përbëhet nga vlerësimi vjetor i të ardhurave dhe shpenzimeve sipas burimeve dhe caqeve investuese. Të ardhurat dhe shpenzimet e fondeve janë palca funksionuese e buxhetit. Buxheti shtetëror mund të jetë në deficit, atëherë kur hpenzimet e planifikuara janë më të mëdha se të ardhurat e planifikuara dhe në suficit, atëherë kur të ardhurat e planifikuara janë më të mëdha se shpenzimet e planifikuara.

Afërsisht edhe buxheti në Maqedoni, të paktën në letër funksionon kështu. Pas projektimit të buxhetit në këtë shtet, nuk dëgjuam diçka të mençur dhe ekonomike prej përfaqësuesve tanë. Ata u paraqiten të thjeshtë para qytetarëve, ngjashëm si kuptueshmëria e buxhetit. Sikur harruan se çështja e funksionimit të buxhetit nuk është fare e lehtë. Ata ngatërruan qëllimisht domethënien e buxhetit dhe funksionimin e tij në praktikë. Aq më e ndërlikuar bëhet çështja, kur parimet buxhetore lakohen edhe në prioritete etnike. Ata u paraqitën fare të thjeshtë, përmes së cilës pandehnin të kultivojnë një gjakftohtësi te qytetarët e këtij vendi, shkurtë e qartë e parapërgatitën popullin që mos të bëzaj për këtë çështje shumë të nxehtë. Buxheti i projektuar për vitin 2012 do të jetë 2.7 miliard euro, që parashihet një deficit buxhetor prej 163 milion euro apo 2,5 përqind nga Bruto Prodhimi Vendor dhe me 2. 5 përqind inflacion. Akoma pa hyrë më thellë, përmes lajmërimit të deficitit, shihet që më shumë do të harxhojmë apo paguajmë borxhe se sa do të arkëtojmë të ardhura. Pas kësaj panorame financiare, Ministri i Financave premtoi rritje ekonomike prej 4.5 përqind, edhe pse kjo shifër bie në kundërshtim me paralajmërimet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që parasheh rënie për 2.4 përqind. Ministri i Financave premton rritje, sepse shkakun e rënies ekonomike e njeh shumë mirë. Ai nuk është aq budalla sa të mos e shesh krizën në eurozonë. Nesër kur do të plandoset për toke, do të thotë se fajet i kishte kriza financiare në Evropë. Por atij i duhet ky premtim, sepse ndryshe ky shtet i zgjebosur, jetëgjatësinë e tij ideologjike s’ka me çka ta shtyjë. Në gamën e këtij anakronizmi, u ngrit me brof partia shqiptare në pushtet, për ta thënë atë që shqiptarët kurrë nuk e kishin dëgjuar, gjegjësisht për atë që gjithherë ishin ankuar. Ajo ishte, morëm hisen tonë në buxhet!

Pjesa më e madhe e shpërndarjes së mjeteve buxhetore do të dedikohet për investime kapitale. Shuma do të jetë 442 milion, kryesisht të projektuar për projekte infrastrukturore, ndërsa pjesa tjetër, kuptohet do të shkojë për arsim, kulturë, shëndetësi, çështje sociale dhe sfera tjera.

Në logjikën ekonomike, i vetmi burim që do ta shtonte vëllimin e ujit – shtimin e të ardhurave shtetërore, është çështja e investimeve kapitale. Por logjika e tillë, në Maqedoni praktikisht bie poshtë, ngase këtu investime kapitale i thonë edhe 25 milionëshit të harxhuar në skulptura dhe gravura antike maqedonase! Aq më keq kur kjo shumë është tejet e vogël, për të pasur mundësi në gjenerim të të ardhurave, pra aq e vogël sa që një shkrepje e idesë nga ndonjë tjetër funksionar maqedonas për ndërtimin e një Shkupi tjetër (pas)modern, do të merrte fund 442 milionëshi. Kjo shifër në bazë të paralajmërimeve do të ndahet në vija etnike, edhe pse Ministri i Financave deklaroi se ndarja e buxhetit i dedikohet tërë shtetit, pa dallim kombi. E vërteta ekonomike kështu duhet të jetë, por sikur me nënvetëdije dhe pahir, deri më tani, asnjëherë nuk ishin financuar njëlloj të gjitha zonat, edhe pse në detyrime në formë tatimi a takse, gjithherë kishte qenë i drejtë për të gjithë. Ai me këtë pohim, pa dyshim e kritikoi partin shqiptare në pushtet, ku edhe në mungesë të një Badenteri buxhetor, ajo e kërkojë 25 përqindëshin në çdo fushë. Me vrik lajmëruan qytetarët shqiptar se morëm atë që prej kohësh kërkonin. Në shikim të parë të gjithë u gëzuam, por të nesërmen u mjegulluam kur mblodhëm pak mendtë, sa për të pyetur, pse ore për këtë hise nuk foli asgjë, ai që i ka në dorë çelësat e këtij thesari (Ministri i Financave).

Ditët sa shkonin e afrohej acari i dimrit, shqiptarët ngadalë po kthjellen, ndoshta si rrjedhojë e të ftohtit, ku buxheti vetëm në fjalë i disa familjeve shqiptare, ia pamundësonte blerjen e drurëve, si dhe për ndonjë nxehëse aq që bëhej fjalë, mbase ajo edhe falas nuk bënte punë, ajo që e ndizte – rryma, ishte shumë e shtrenjtë. Është e qartë, këtyre njerëzve çka t’i flasësh mund të të besojnë, mjafton t’i thuash se në vitin 2012 do ta marrim 25 përqind prej buxhetit, atyre menjëherë do t’i dilnin drurët përpara dhe shumë sende tjera elementare. Po njëri prej këtyre, një ditë pyeti, a ka mundësi që dikush ta sqarojë më mirë këtë çështje. Si do të ndahen këto mjete, ku në buxhet nuk shihen mjetet për ndërtimin e rrugës së Arbrit dhe fjala bie, për asfaltimin e rrugës Llojan – Miratoc qenkan ndarë vetëm 120 mijë euro, pra aq sa kushton ndërtimi i një shtëpie në këtë fshat. Vallë, ky qenka 25 përqindëshi i investimeve kapitale?!

Buxheti në Maqedoni, rreth 70 përqind mbushet prej konsumit. Prej ekspertëve ekonomik, mësojmë se 40 përqind të konsumit e përbëjnë shqiptarët. Këtë e beson secili, sepse shqiptarët që gjenden në diasporë përmes të ardhurave që sjellin këtu (remitencave), qoftë vetë kur të vijnë apo që mbajnë familje këtu, janë shtylla kryesore e mbajtjes së bilancit të pagesave në nivel të duhur, duke mos i përjashtuar edhe ata që punojnë në vendin e tyre të lindjes. Ndërkaq, lëre që këtë kthim as në ëndërr nuk do ta shohim, por edhe 25 përqindëshi, duket se do të jetë një rrëfim i bukur para gjumit, me shpresë për një ëndërr gjithashtu të bukur.

Iljasa SALIHU

Lini një Përgjigje