Brenga që të shqetëson

7Shk - 0 - Kategoria: Opinione

(Reagim ndaj shkrimit “Konformizmi dhe përgjegjësia”, të autorit Xhelal Neziri)

caki22-230x200Prej kohësh kam thënë se mediat e trajtësuan në legjendë “Plakun e Llojanit” jo pse ai tha diçka që deri atëherë nuk ishte thënë nga të tjetër; jo pse i brengosi politikanët ajo çfarë tha ai, përkundrazi, ata u zgërdhinë harbueshëm, duke e trajtësuar kështu mjerimin në humor; jo pse një i ri nuk do t’i thoshte të njëjtat fjalë; jo pse plaku kur kishte qenë i ri kishte folur kështu, por mediave më shumë u interesoi “rritja e shikueshmërisë” dhe loja me plakun, natyrisht duke u mbështetur në atë thënien popullore se mund të luash me plakun, sepse plak do të bëhesh. Unë qysh atëherë kuptova përfitimin e mediave në kurriz të të përvuajturve, ndaj pata reaguar publikisht: “Të mos trajtësohet mjerimi në humor; të mos shpallet legjendë ai që foli prej zemrës së thyer, ai që përdori gjuhë të pahijshme publikisht, sepse atë e dëgjuan familje të tëra, fundja me fyerje kurrë asgjë nuk është zgjidhur, pos që është mbjellur edhe një ves më shumë në kopshtin e papunuar sa duhet”. Madje sot e kësaj dite dëgjoj prej të rinjve fjalët fyese që i përdori dikur plaku, thuajse bëhet fjalë për fjalë të përditshme e të natyrës përshëndetëse. Plaku plak është, ai nuk ka fare faj, thjesht mediat pakurrizore e shfrytëzuan shprehjen e pakënaqësisë që ishte në harlisje, shprehje ajo që mund të bëhej në një rreth të ngusht, porse atyre nuk u interesonte asgjë, pos “rritjes së shikueshmërisë”. Aq më tepër nuk e morën parasysh faktin se ai ishte haxhi, ishte me abdes, sa kishte dalur prej Xhamie. Kjo është puna e mediave komerciale e makiaveliste, do të thoshte një njeri që merr sado pak vesh në etikë! Ndërsa ajo që më habiti sot, është shkrimi i gazetarit serioz, z. Xhelal Nezirit, i cili ose nuk sheh, ose prodhimin e kësaj verbërie mundohet ta mbulon përmes formules “thuaj dy të vërteta që t’i mbulosh katër të tjera”! Ai ndoshta nuk më njeh mua, nuk ka lexuar asgjë prej shkrimeve dhe librave të mia. Kjo është punë e tij! Kjo mund të jetë e vërtetë, porse kjo nuk i takon një gazetarit serioz, ngase ai kur të shkruan shkrime, duhet t’i shikoj ato shkrime a punime që janë bërë më parë për të njëjtën problematikë.

 

Unë që prej vitit 2007 hera herës merrem edhe me shkrime që trajtoj drejtpërdrejt problemet e fshatit tim. Kam njëzet shkrime vetëm për hallet dhe dertet e fshatit, disa intervista për shqetësimin e njëjtë që kam bërë me personalitete që janë nga fshati Llojan, por që punojnë diku tjetër, si dhe si bashkautor kemi botuar librin “Rrjedhat ekonomike në fshatin Llojan”! Sa për dijeni të z. Nezirit që të dytë jemi të rinj (unë dhe bashkautori Shqipdon Rexhepi), edhe pse z. Neziri shprehet kështu: “Derisa kemi heshtjen e pjesës më vitale të shoqërisë, plaku i Llojanit, Dobërdollit dhe Allashaecit do të jenë zëri i vetëm i protestës dhe i arsyes.”. Kjo është padrejtësi dhe mëtim për fshehjen e të vërtetës, ose edhe përshfaqje të injorancës, që assesi nuk do t’i shkonte për shtati një gazetarit. Madje edhe kur kam qenë i ftuar në pak ato media televizive, nuk e kam anashkaluar brengën për fshatin Llojan dhe për komunën e Likovës, gjithherë duke e marr parasysh faktin se unë dhe shokët e mi jemi të rinj, jemi intelektual, ndaj duhet reaguar, pavarësisht digave të vendosura pastaj prej autoriteteve të pushtetit. Unë nuk kam punuar vetëm, por me shokë, se sa ia kemi dal mbanë, atë ende nuk mund ta masim, porse ne me aq sa kemi pasur mundësi nuk kemi heshtur, sa të fajësosh krejt panevojshëm: “Në vend që të rinisë reagimet ndaj poshtërimit të qytetarit, vijnë nga njerëz të moshuar”.

Kemi të rinj që vijojnë të heshtin, por jo edhe rinia, edhe pse fatkeqësisht prej atyre më të pjekurve mëtohet që ky zë të ngjiret, duke ia cilësuar vetëm pleqve meritën e ngritjes së zërit për zallahitë e mjedisit tonë, edhe atë gabimisht, sepse ata (pleqtë e dashur) njëmend kanë merita, ata nuk dinë vetëm të përdorin fjalë të pahijshme, pavarësisht se për çka dhe për kë bëhet fjalë, kemi mënyra tjera që shumë më rëndë do t’i vinin pushtetarëve. Unë dhe shokët e mi nuk kemi faj që gazetarët nuk na citojnë, nuk na intervistojnë, nuk këshillohen fare me neve, ashtu siç është puna me shkrimin e juaj. Gjoja mundoheni të paraqisni dhe davarisni shqetësim, kurse në të vërtetë, vetë shkrimi juaj është shqetësues, ngase thotë dy të vërteta për t’i mbuluar katër të tjera që janë shumë të rëndësishme.

Lini një Përgjigje