Alkooli – burim i çdo semundjeje

20Jan - 0 - Kategoria: Opinione

Është i pamohueshëm fakti se njëra nga traditat më të përhapura në botë, e sigurisht edhe në vendin tonë, është konsumimi i alkoolit. Ai përdoret nga breza të ndryshëm dhe nga shtresa të ndryshme të shoqërisë:intelektualë, gra, fëmijë, të pasur, të varfër etj, në jetën private dhe në atë publike, në urime, në lindje e vdekje, në gëzime e hidhërime, në marrëdhëniet e përditshme afariste etj., shkurt, në çdo hap të jetës.

Duke i parë dëmet e alkoolit, sot në botë është formuar Organizata Botërore Kundër Përdorimit e Pakësimit të Alkoolit. Janë formuar gjithashtu edhe shoqata e institucione të ndryshme shëndetësore për luftën kundër alkoolit., në të cilat organizohen biseda e seminare, shfaqen filma dokumentarë, shkruhen artikuj të ndryshëm etj., që bëjnë thirrje për t’u larguar nga ky ves i shëmtuar. Pastaj janë hapur klinika të veçanta, janë prodhuar vazhdimisht barëra të ndryshëm e janë marrë shumë masa tjera për zhdukjen e këtij vesi ose për pakësimin e përdorimit të alkoolit, por fatkeqësisht pa përfundim të dukshëm. Shumë alkoolistë kanë përdorur dhe përdorin barëra (p.sh.antabusin etj.) për t’iu shmangur alkoolit, por përsëri shumë prej tyre e gjejnë veten të nënshtruar ndaj tij .

Ka njerëz që mendojnë se me këto ndalime, ia kufizon njeriut lirinë duke i konsideruar udhëresat e tij si të pa drejta dhe jonjerëzore. Vërtet, nëse e shikojmë problemin cekët, këto ndalime duken si kufizim lirie, por nëse i analizojmë hollësisht dëmet që i sjell alkooli për njeriun dhe shoqërinë, do të arinim në përfundim se me të drejtë duhet te luftohet ky ves si një sëmundje kancerioze të individit dhe të shoqërisë. Ai që i njeh sado pak burimet dhe mësimet e mjeksise, e di mirë se alkooli është e dëmshme për organizmin e njeriut.“Prandaj, largohuni prej alkoolit, që të shpëtoni“, të shpëtoni prej dëmeve morale, shoqërore, shëndetësore etj.

Shumë mjekë të njohur bashkëkohorë i kanë bërë të pathemelta pohimet e disa njerëzve të paudhëzuar (nëse do të mjaftonte t’i quajmë vetëm të tillë), ndër ta edhe të disa mjekëve që i reklamojnë dhe i rekomandojnë dobitë shëndetësore të alkoolit. Disa prej pohimeve të tyre janë: “ndihmon në tretjen e ushqimit, e ngroh organizmin, i zgjeron enët e gjakut, i largon brengat dhe vuajtjet e jetës etj”. Këto janë ndikime të përcipta organike të cilat nuk i vërteton shkenca e sotme mjekësore.)”.

Ka edhe intelektualë, të cilët e quajnë prapambetje ndalimin e alkoolit, duke mëtuar (pretenduar) se përdorimi i tij është gjë bashkëkohore dhe anasjelltas, lënia e tij na qenka shenjë prapambeturie(!). Edhe më parë ka pasur ”intelektualë” që e kanë konsideruar alkoolin si ilaç, një mendim, që çuditërisht i ngjan kësaj të “intelekualëve të përparuar” të sotëm. Por, këtë pohim e hedhin poshtë sëmundjet e rënda që shkaktohen prej alkoolit, sidomos prej pijeve alkoolike me ngjyrë. Para 170 vjetësh mjeku i famshëm anglez, Tomas Troteri, ka thënë: “Alkooli është sëmundje“. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë vërtetësohet se alkoolisti kronik zë vendin e katërt në listën e sëmundjeve bashkëkohore. Sot shkencëtarët amerikanë kanë vërtetuar se qelizat e organizmit të njeriut nuk janë të përgatitura për duhan dhe alkool, pra nuk u rezistojnë dot këtyre dy substancave.

Do të donim t’i përmendnim disa nga dëmet që i sjell alkooli:

1.Duke depërtuar në organizëm nëpërmjet gojës, alkooli i dëmton buzët, gjuhën dhe fytin dhe shkakton mahisje djegëse, e cila zhvillohet më tej në kapërcell dhe shkakton vjellje të ushqimit;

2.Duke e ngacmuar mukozën e stomakut, alkooli i zgjeron enët e gjakut dhe pas mahisjes vjen ulçera e stomakut e cila është shumë e përhapur ndër alkoolistët;

3.Dëmin më të madh e pëson organi jetësor i organizmit, laboratori qendror i tij – mëlçia e zezë;

4.Sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut shfaqen kryesisht te njerëzit që e përdorin alkoolin për një kohë të gjatë. Çelësi i mjekimit të sëmundjeve të tilla është ndërprerja e plotë e të gjitha pijeve alkoolike;

5.Alkooli është shkaktar i sëmundjes së tuberkulozit, sepse me përdorimin e tij zvogëlohet forca mbrojtëse e organizmit dhe kështu ekziston mundësia që mikrobi të gjejë truall për t’u zhvilluar;

6.Disa mjekë i akuzojnë si kancerogjene veçanërisht pijet alkoolike me ngjyrë. Statistikat botërore tregojnë se kanceri i faringut, i kapërcellit dhe i stomakut është më i shpeshtë tek alkoolistët;

7.Alkooli është shkaktar për ndryshimet në lëkurë, të cilat rrjedhin si pasojë e ndryshimit të enëve të gjakut. Ato i japin një pamje karakteristike fytyrës së alkoolistit – hundë të gjerë të kaltër, të cilën çdokush e dallon lehtë;

8.Dëmtohen së tepërmi edhe qelizat nervore, si sistemi nervor qendror, ashtu edhe ai periferik.

Pra, me një fjalë të vetme mund të themi, të dashur lexues, se nuk ka organ dhe qelizë në organizmin e njeriut që nuk dëmtohet nga alkooli.

Alkoolistët e humbasin lehtë drejtimin e sjelljen në shoqëri: trimërinë, nderin, ndërgjegjen, shpirtin e sakrificës etj. Familja e alkoolistit i ngjan skenës së një teatri, ku shfaqen vetëm komedi dhe tragji-komedi.

Ata që me të vërtetë arrijnë ta braktisin këtë ves të shëmtuar, e kanë fituar betejën me vetveten dhe e kanë arritur begatinë morale dhe shpirtërore

DR.IZEIR ILJAZI

Lini një Përgjigje