Në të kaluarën fshati ka qenë i vendosur në zonën kodrinore të shpatit të quajtur Kulishte, tani ka një pozitë rrëzë malore dhe fushore që e bë të afërt vetëm me nga 1 kilometër largësi me fshatrat të Preshevës në veri, Tabanoc të komunës së Kumanovës në lindje dhe Vaksincë të komunës së Likovës në jug. Llojani, shtrihet në pjesën thuajse më veriore të Republikës së Maqedonisë në kufirin maqedono-serb, në koordinatat 42° 13′ 59″ veri dhe 21° 39′ 54″ lindje, duke zënë një pozitë kodrinore, rrëzmalore e fushore. Gjeografikisht Llojani është pika lidhëse e fshatrave të Malësisë së Karadakut në pjesën e Serbisë dhe Maqedonisë, edhe përkundër asaj së kjo sot s’ka rëndësi për shkak të kalimit kufitar të mbyllur.
Fshati me shtëpi shtrihet në një diametër rreth tri kilometra duke krijuar afërsi 1.6 km me Miratocin (fshat në Serbi) në veri, gjithashtu 1,6 km me Vaksincën në jug, 2,2 km me Tabanocin në lindje dhe në largësi prej 2,9 km me Strazhën në perëndim.[1] Fshati gjendet në veri të qytetit të Kumanovës në një largësi prej 12 kilometrash.
Pjesa lindore e fshatit është hapësirë fushore, tokë e pjellshme për kultivime bujqësore, kurse pjesa perëndimore e fshatit është hapësirë kodrinoro malore.
Përmes fshatit, nga perëndimi kah lindja, rrjedh lumi i cili ndanë fshatin po thuajse në dy pjesë të njëjta.