Intervistë me Enver Destanin, dhënë televizionit „Zëri i Kumanovës“ në vitin 1995

Kujtesë Historike

Intervistë me Enver Destanin, dhënë televizionit „Zëri i Kumanovës“ në vitin 1995

Enver Destani, bashkëluftëtar i Sulë Hotlës, rrëfen për shumë ngjarje që kanë ndodhur në fshatin Llojan dhe rrethinë.

Pjesëmarrësit në çetën e Sulë Hotlës kanë qenë vullnetarë për të luftuar për tokat shqiptare. Qëllimi i luftës ka qenë bashkimi i trojeve shqiptare.

Partia jonë ka qenë NDSH-ja dhe qëllimi i saj ka qenë: „Kush nuk e ndien veten shqiptar, le ta kontrollojë vetveten, që të mos marrë ndonjë rrugë të gabuar.“

Në moshën 23-vjeçare jam angazhuar në çetën e Sulë Hotlës. Në fillim kemi qenë pesë deri në gjashtë mijë luftëtarë në vendin e quajtur Kopilaç. Pastaj ka filluar shpërndarja në grupe: në fillim nga njëqind luftëtarë, pastaj në pesëdhjetë, e dikur më vonë edhe nga njëzet, dhe kemi arritur deri në pesë veta.

Këtë shpërndarje e kemi bërë për shkak se popullata e kishte më të lehtë të na mbante me ushqime, sepse pa ndihmën e popullit nuk mund të mbaheshim.

Uniforma jonë ka qenë shqiptare, me plisa të bardhë dhe me flamurin në ballë.

Me municion jemi furnizuar nga gjermanët, bullgarët, por edhe kur i zinin ose i vrisnim zullumqarët pra çetnikët sllavë, ua merrnim municionin.

Unë kam marrë pjesë në njëzet e katër beteja të zhvilluara në fshatin Llojan, dhe të gjitha betejat ishin në favorin tonë duke i larguar zullmqarët nga toka jonë si dhe në luftën e natës së Bajramit, e cila u zhvillua në Llojan. Ajo ka filluar në orën dhjetë të mbrëmjes dhe ka vazhduar deri në mëngjes, ka qenë luftë e madhe dhe e paster nga trimat tonë per ta mbrojtur vendin dhe nderit ku do te mbahet në mend brez pas brezi.

Sulmet kishin filluar nga Presheva, Miratoci dhe Llojani. Kur ka filluar sulmi mbi Miratocin, një grup prej shtatëdhjetë luftëtarësh kemi vrapuar t’u shkonim në ndihmë vëllezërve tanë në Miratoc.

Lufta e çetnikëve sllavë udhëhiqej nga një grua, e cila u jepte komanda, duke thënë: „Një grup sulmoni nga ana e majtë, një grup nga ana e djathtë!“ Kurse ne i sulmuam nga ana e majtë. Ajo vazhdonte me komandën, duke bërtitur: „Llojan, dorëzohuni!“

Ishte natë dhe fjalët e saj dëgjoheshin shumë larg.

Në këtë sulm ishte edhe vëllai im, Destani. Ai ishte me kalë dhe më mori me vete, duke më thënë të shkoja në Llojan për pesë minuta.

Çetnikët sllavë, partizanët, pa ndërprerë bërtisnin: „Dorëzohuni, Llojan, se jemi tre mijë vetë dhe nuk mund të shpëtoni!“

Unë dhe vëllai Destani u kthyem nga vreshtat. Kur u kthyem në fshat, disa nga fshatarët konkretisht gra dhe femije po e lëshonin fshatin, ndërsa disa burra të tjerë kishin filluar luftimet.

Kur dola te reka e Llojanit, edhe vëllai Destani kishte mbërritur me çetën e përbërë prej shtatëdhjetë vullnetarësh.

Çetnikët sllavë u afruan deri te varrezat e fshatit, sepse aty ishin vetëm dy shtëpi. Ne filluam t’u përgjigjeshim me armë.

Luftimet kanë zgjatur deri në mëngjes dhe çetnikët sllavë i kemi zbrapsur deri në Tasjan dhe Tabanoc. Pas përfundimit të luftimeve, përsëri jemi kthyer në fshatrat Runicë dhe Allashec, për tju bashkuar bashkëluftetarëve dhe për tju dalë në ndihmë banorëve.

Po i përmendi disa bashkëluftëtarë, si Sadik Veliun, i njohur si Sadik Llojani, nga Llojani; Ali Strazhën, të cilin e kam pasur bashkëluftëtar dhe dajë; si dhe Ali Runicën.

Formimi i Ballit Kombëtar nuk më kujtohet se kur dhe ku është bërë, por e di se patjetër duhej të ekzistonte. Flitej se ajo mbledhje ishte mbajtur te Guri i Shpumë.

Ka ardhur një brigadë nga Kosova me tre mijë shqiptarë, partizanë, dhe aty kanë ngrënë darkë te një „domaqin“ shtëpie, siç i kanë quajtur në atë kohë mikpritësi apo bukdhënësi.

Ai i pyet se deri ku do të shkonin. Ata i përgjigjen plakut: „Deri në Rustovcë dhe aty do ta ndajmë kufirin.“

„Kjo nuk mund të ndodhë, sepse nuk mund ta mbani“, u është përgjigjur plaku.

Ku ndodhej ky vend? Në mes të Vranjës dhe Vladiçki Hanit.

Disa oficerë deshën ta vrisnin të zotin e shtëpisë. Ai u tha: „Ju mund të më vrisni, por kufi aty nuk mund të vendosni.“

Ata vazhduan rrugën deri atje me flamurin tonë, kurse aty flamurin e kanë vendosur nën tavolinë dhe në Shid kanë marrë pjesë në luftë kundër gjermanëve.

Shtypi jugosllav, për luftimet në Shid, përmend Brigadën e Shtatë Maqedonase, por pa i përmendur shqiptarët si pjesëmarrës të luftës kundër gjermanëve. Në këtë betejë ishin vrarë shumë shqiptarë.

Kur e kuptuan shqiptarët se çfarë po ndodhte, ata u kthyen mbrapsht dhe përsëri u takuan me plakun, të cilin më parë deshën ta vrisnin, dhe i kërkuan falje: „Ne paskemi qenë gabim.“

Pastaj plaku u ndal dhe u thotë që të hanë edhe një darkë në fshatin e tij para se të vazhdojnë rrugën.

Ata në fillim nuk pranuan, duke thënë se nuk kishin kohë, pasi ishin nga Shqipëria. Por plaku nuk pajtohej që ata të vazhdonin rrugën pa ngrënë edhe një darkë në fshatin e tij.

Plaku u thotë: „Fshati im i ka treqind shtëpi. Patjetër keni për të ndaluar, se do t’ju ndjekim deri në Shqipëri.“

Pastaj ndalen edhe për një darkë në fshatin e plakut.

Ne betejat i kemi zhvilluar me flamurin tonë. Secili luftëtar e ka pasur shqiponjën në ballë. Flamuri ka qenë pa yll. Po të kishte pasur yll, do ta kisha djegur pesëdhjetë herë.

Sikur të isha i ri… Po çka të bëj kur më mungon shkolla? Po të kisha shkollimin, unë e dija se si do ta drejtoja popullin tim.

Tradhtarët t’i vrasim, pa marrë parasysh se kush do të jetë. Nuk duhet lejuar tradhtia, sepse tradhtia të çon në humnerë. Parlamenti i tanishëm nuk duhet të mblidhet përderisa ta pastrojmë vetveten.

Për fund, populli shqiptar duhet të afrohet. Afrimi mes vete sjell fitim. Nëse jemi të përçarë, nuk mund të kemi fitim.

Përçarja nuk na sjell fitore në të gjitha trojet shqiptare. Duhet të bisedojmë mes vete, t’i ndajmë hallet mes vete, të mos kemi frikë, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të nderohemi dhe të respektohemi mes vete.

Ne duhet ta ruajmë të parin tonë, sepse aty është një karrige, nuk janë dhjetë karrige. Derisa t’i shkojë puna mirë, populli shqiptar e sheh. Nëse nuk i shkon puna mirë, pastaj mund ta ndërrojmë, sepse edhe ai është vëllai ynë.

O vëlla, lëshoje karrigen dhe në vendin tënd le të vijë një tjetër që do ta bëjë punën më mirë. Ta bëjmë këtë si vëllezër, me marrëveshje.

Llojani e ruan në kujtesë atë natë të gjatë,

ku trimat u ngritën për vendin e të parëve;

koha kalon, por kujtimi mbetet gjallë,

si dëshmi e një historie që nuk shuhet kurrë.

Kujtesë Historike

nga rrëfimet e luftëtarit Enver Destani

Nga intervista janë nxjerrë dhe përpunuar këto shënime nga profesori Ridvan Memeti.

Llojan, 12 gusht 2026

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert